
Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi nuk mori vendim për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji elektrike, ashtu siç parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nga 78 deputetë të pranishëm në Kuvend, 58 deputetë kanë votuar për.
“Nuk ka kuorum për me marr vendim”, tha Konjufca.
Ndryshe, gjatë seancës plenare shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila fillimisht propozoi mocion procedural për ta futur si pikë të rendit të ditës këtë vendim.
“Propozojmë vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Qëllimi i këtij vendimi është që këto masa të zgjaten edhe për 30 ditë të tjera. Duke ditur rëndësinë e këtij vendimi kërkojmë që ky vendim të futet në rend dite sot dhe të votohet”, tha Kusari-Lila.
Por në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk mori vendim për miratimin e vendimit të qeverisë për zgjatjen e masave emergjente me energji./Gazeta10