
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka kritikuar protestën në Tiranë të mbajtur sot duke thënë se është në shërbim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se ata që sot po protestojnë kanë pranuar të instrumentalizohen.
Më tej, ai ka thënë se Kurti është marrë vesh fshehurazi me Vuçiqin për mënyrë se si po hiqen barrikadat.
Këtu keni postimin e plotë:
“Është e kuptueshme që Kurti i gjunjëzuar me turp të përpiqet të fshejë e maskojë zmbrapsjen e tij të tretë radhazi brenda pak javësh (pas targave e anullimit të zgjedhjeve) por e pakuptueshme është përse aktivistët e PD-së bien pre e këtij skenari. Pra përse kanë pranuar të instrumentalizohen nga LVV-ja duke shkuar në një protestë sot për heqjen e barrikadave ndërkohë që largimi i barrikadave është shpallur që dje.
Mua nuk më çudit aq shumë aleanca e panatyrshme e konservatorizmit të PD-së me radikalizmin neomarksist të LVV-së, por fakti që lajmet e Kosovës mbërrijnë me vonesë në Tiranë. Tashmë që dje është shpallur nga deklarata e përbashkët e BE-së dhe SHBA-sē se ata kanë ndërmjetësuar një marrëveshje mes Vuqiqit dhe Kurtit sipas të cilës Kurti ështē zmbrapsur sërish dhe ka dhënë garanci për të amnestuar serbët e veriut për trazirat e bëra në këmbim të heqjes së barrikadave. Vuçiqi e ka paralajmëruar tashmë heqjen e barrikadave dhe ka që dje në Rashkë që po diskuton modalitetet me serbët e Kosovës.
Barrikadat u vendosën si reagim i serbëve pasi policor serb, Dejan Pantiq, i cili u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar të Jarinjës në veri të Kosovës. Ky zyrtar tashmë është liruar që dje por Kurti po përpiqet që ta fshehë zbythjen e radhës, për të cilën është marrë vesh fshehurazi, duke bërë protesta në Tiranë e Shkup (19 ditë pasi janë vendosur) në mënyrë që të pretendojë se barrikadat po ikin prej presionit e jo prej amnestisë e konçesioneve që ai ka bërë fshehurazi”, ka shkruar Nurellari në llogarinë e tij në Facebook . / Gazeta10