
Drejtues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë kritikuar institucionet e vendit për mosveprim në përmirësimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të paparalajmëruara për bizneset, dëmet financiare nëpër fabrika kapin shifra milionëshe vetëm brenda një dite.
Kreu i Odës Ekonomike Amerikane, Zeka në një intervistë për KP, ka folur edhe për ngecjet e institucioneve në realizimin e investimeve kapitale dhe për mosshpenzimin e mjeteve buxhetore.
“Është për keqardhje që nuk po ndërmerren masat e duhura për të përmirësuar ose për të ofruar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike… Pasojat i bartin qytetarët edhe bizneset, por ajo që ne si Odë Ekonomike Amerikane, kemi kërkuar nga institucionet e vendit është që të bëjnë më të mirën dhe të garantojnë një furnizim të pandërprerë për ndërmarrjet private në vend, sidomos për ndërmarrjet prodhuese te të cilat shkaktohen dëme shumë të mëdha edhe në aspektin financiar, edhe në aspektin teknik për shkak të ndërprerjeve edhe të pa paralajmëruara të energjisë elektrike… Bizneset sidomos ato të sektorit prodhues janë aktuale për dëmet financiare të cilat arrijnë dhjetëra mijëra euro, po flas për raste individuale, për fabrika të veçanta brenda një dite”, ka thënë ai.
Zeka më tej thotë se viti 2022, do të jetë vit i humbur për nga ndikimi i investimeve kapitale, pasi sipas tij nuk ka pasur realizim të investimeve dhe shpenzim të mjeteve buxhetore./Gazeta10