
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Opozita ka kritikuar qeverinë sërish për qasjen ndaj planit franko-gjerman dhe mostransparencën për këtë çështje. Madje, PDK, është shprehur e gatshme të marrë udhëheqjen e shtetit, nëse kjo qeveri nuk ia del deri në fund të mandatit. Derisa, analistët kanë dhënë komente të ndryshme, se a është në të mirë të Kosovës propozimi i dy shteteve, Gjermanisë dhe Francës, shkruan Kanal10.
Rezervat e kritikat, opozita sërish i ka bërë të ditura për planin franko-gjerman.
PDK e LDK, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë më transparente për këtë nismë të dialogut.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje udhëheqësve të shtetit të shfrytëzojnë vëmendjen e ndërkombëtare, për t’u arritur marrëveshje finale me Serbinë.
Madje, Krasniqi është shprehur i gatshëm edhe ta marrë përsipër udhëheqjen e shtetit në rast se kjo qeveri dorëzohet.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, tani deputet i LDK-së, ka kritikuar ekzekutivin për mostransparencë, duke thënë se duhet të informohen kuvendi dhe qytetarët.
“Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim.”, tha Avdullah Hoti – Deputet, LDK.
Njohës të procesit të dialogut kanë vlerësime të ndryshme për situatën e re të krijuar në dialog pas propozimit të Gjermanisë dhe Francës për këtë proces.
Krerët institucionalë në Kosovë janë shprehur në favor të planit franko-gjerman për dialogun, duke e quajtur bazë të mirë drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.