Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Opozita e cilëson veprim arbitrar, paralajmërohet kallëzim penal ndaj ministrit Murati

Gazeta10
03 October 2022 - 19:43

Për mosekzekutimin e pagave, reagime të shumta ka pasur nga partitë opozitare. Një veprim të tillë ato e kanë cilësuar si arbitrar, duke paralajmëruar edhe veprime ligjore, si dhe duke e ftuar në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati. Ndërkohë, nga partia në pushtet kanë thënë se sipas ligjit, nuk kompensohen pagat për grevistët, raporton Kanal10.

Raporti: Gentiana Gashi

Mosekzekutimin e pagave për grevistët, partitë opozitare e kanë cilësuar si veprim arbitrar të Qeverisë së Kosovës.

Madje, ato kanë paralajmëruar edhe veprime ligjore kundër një vendimi të tillë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse nuk u dalin pagat grevistëve, do të dorëzojnë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar duke thënë se në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension.

Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk mund të jetojë pa kriza, prandaj sipas tij, edhe po i  dënon mësimdhënësit e vendit.

Kurse, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ndalimin e pagave e ka quajtur veprim arbitrar, teksa ka ftuar ministrin Hekuran Murati në interpelancë.

Por, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila,  ka thënë se në bazë të ligjit nuk kompensohen pagat për grevistët.

Partitë politike dhe shoqëria civile kishin reaguar edhe herën e parë, kur Qeveria e Kosovës nuk ua kishte ekzekutuar pagat për ditët që sindikalistët kishin mbajtur grevën, por që më pas ishte vendosur që atyre t’u ekzekutohen rrogat e gushtit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.