
Vjosa Osmani – Presidente e Republikës së Kosovës, ka thënë se sot në takimin e liderëve rajonal në New York, ka kërkuar mbështetjen e BE-së për liberalizimin e vizave dhe tejkalimin e krizës energjetike.
Osmani këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku shihet e shoqëruar me të gjithë liderët e rajonit dhe Josep Borrel, raporton Gazeta10.
“Sot në takimin e organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor potencova përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet dhe për rrugën e saj euroatlantike, kërkova përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.”, ka shkruar ajo./Gazeta10