
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë seancës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e filloi fjalën duke dënuar aktin e agresionit të Serbisë më 24 shtator dhe duke nderuar kujtimin e policit Afrim Bunjaku, i vrarë nga sulmi terrorist.
Në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidentja Vjosa Osmani nderoi heroin e rënë, Afrim Bunjaku, për të cilin tha se me guxim mbrojti integritetin territorial të kombit të tij.
Ajo mes tjerash tha se sakrifica e Afrim Bunjakut shërben si një kujtesë “se sa e çmuar është liria dhe sa vigjilentë duhet të jemi për ta mbrojtur atë”.
“Më 24 shtator, populli i Kosovës u zgjua me lajmin për një polici të vrarë dhe një tjetër të plagosur në orët e hershme të mëngjesit. Atë ditë Republika e Kosovës ishte cak i një akti agresioni të Serbisë përmes terroristëve dhe grupeve paramilitare. Sot dua të marr një moment për të nderuar kujtimin e heroit tashmë të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën teksa po mbronte integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës sonë. Heronjtë si Afrim Bunjaku na kujtojnë çdo ditë se sa e çmuar është liria dhe sa vigjilentë duhet të jemi për ta mbrojtur atë. U preftë në paqe dhe kujtimi i tij të shërbejë si një kujtesë për të gjithë si imperativi për t’iu kundërvënë forcave autoritare, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në mbarë botën.” – tha Osmani.