
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Presidentja Vjosa Osmani ka kryer një intervenim kirurgjik, të cilin zgjodhi ta bëj në spital privat, e jo në QKUK. Ky vendim nxiti reagime të shumta, duke u cilësuar si mesazh i keq për qytetarët, e duke përçuar mosbesim tek institucionet publike shëndetësore. Drejtori i Kirurgjisë Abdominale është shprehur i indinjuar me vendimin e presidentes, duke ka thënë se ajo ka injoruar kirurgët që punojnë në QKUK. Ndaj këtij trajtimi të presidentes ka pasur edhe reagime të tjera, shkruan Kanal10.
Pak javë pas kësaj deklarate, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka injoruar tërësisht institucionet publike shëndetësore.
Me gjithë zotimet që i kishte bërë në ambientet e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ajo ka zgjedhur që trajtimin mjekësor ta bëjë në spitale private.
Presidentja Osmani, mbrëmjen e së mërkurës, ka kryer një intervenim kirurgjik në një nga spitalet në periferi të Prishtinës.
Gjatë mbrëmjes të së mërkurës dhe të enjten, veturat e Presidencës, kanë qëndruar para këtij spitali.
Për këtë ndërhyrje, Presidenca nuk kishte njoftuar paraprakisht, megjithëse kompetencat përkohësisht ia kishte bartur kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thuhet në njoftim.
Nga presidenca kanë njoftuar se shëndeti i Osmanit është i mirë dhe pritet që së shpejti t’u rikthehet aktiviteteve të saj.
Por, për operimin e presidentes, ka pasur kritika të shumta, duke nisur nga vet kirurgët e QKUK-së, për çka kanë reaguar gjatë ditës.
Kurse, drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, është shprehur i indinjuar që presidentja Vjosa Osmani e ka injoruar këtë klinikë.
Ai ka sqaruar se operacioni për heqjen e tëmthit në Klinikën e Kirurgjisë, kryhet që nga viti 1999 dhe se një vendim i tillë i të parës së shtetit, është mesazh i keq për qytetarët.
Gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitija thotë se mos trajtimi i presidentes në spitalet publike është i gabuar, pasi sipas tij, kjo e rëndon edhe më shumë sistemin shëndetësor.
Këtë ndërhyrje presidentja Osmani e kryen pak kohë, pasi një tjetër e kishte bërë në Turqi.
Ndryshe, pak para se të jepte dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi kishte kryer një shërbim shëndetësor në QKUK, e shumë vite më parë një të tillë e kishte bërë edhe ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi. /Gazeta10