Të hënën ka filluar grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e shtatorit, shkruan Gazeta10.
Selektori i Dardanëve, Alain Giresse, javën e kaluar kishte publikuar listën prej 26 futbollistëve të ftuar për ndeshjet e shtatorit, por tre nga futbollistët e kësaj liste pritet të mungojnë për këto ndeshjet.
Bëhet fjalë për Leart Paqaradën, Mërgim Vojvodën dhe Shkëlqim Vladin të cilët nuk do të jenë në dispozicionin e përzgjedhësit francez për këto dy ndeshje.
Paqarada ishte ftuar te Kosova për herë të parë që nga marsi i vitit të kaluar, por ai ka pësuar një lëndim në vikend me skuadrën e tij St.Pauli dhe do të jetë jahstë fushave për një kohë.
Ndërkohë edhe mbrojtësi tjetër Mërgim Vojvoda, ka pësuar një lëndim muskular dhe do të mungojë rreth dy javë.
Në fund edhe prurja e re te Dardanët, Shkëlqim Vladi, ka pësuar poashtu një lëndim gjatë kësaj fundjave dhe nuk do të mund të bëjë debutimin e tij me Kosovën.
Kosova në shtator ndeshet me Irlandën Veriore në udhëtim më 24 shtator dhe me Qipron në shtëpi më 27 shtator në kuadër të Ligës së Kombeve. /Gazeta10/