
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, krerët shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin Pavarësia në Vlorë.
Në këtë ceremoni, krerët bën homazhe dhe vendosen kurorë lulesh pranë Monumentit të Pavarësisë, raporton Gazeta10.
Në anën tjetër kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook uroi 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Vlora.
“Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkaq edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit, janë ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
“E nderuar të jem sot në Vlorë krahas liderëve shtetërorë e institucional të Kosovës dhe Shqipërisë, për ta kremtuar këtë ditë të shenjtë për ne.
Që prej Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës e Isa Boletinit, e deri te presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari – një ëndërr dhe një ideal kishim. Sot, Kosovë e Shqipëri, bashkërisht në Vlorë, kujtojmë në këtë 110 vjetor, gra e burra, të cilët e bën të mundshme projektin e shteteve tona të pavarura”, shkroi Osmani në Facebook.
Ajo më tutje theksoi se “siç e kemi bërë bashkërisht rrugën historike, bashkërisht do ta kemi rrugëtimin tonë për në familjen evropiane”.

Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtua presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke uruar të gjithë shqiptarët për 110 vjetorin e pavarësisë./Gazeta10