
Partitë opozitare kanë kritikuar ekzekutivin e vendit për situatën në veri, për buxhetin e vitit të ardhshëm, si dhe për gjendjen e krijuar në sektorin e shëndetësisë. Këto pika, do të jenë edhe në diskutim në dy seanca plenare të Kuvendit të Kosovës, që janë caktuar për këtë javë. Një gjë e tillë është vendosur të hënën, pas mbledhjes së kryesisë së legjislativit të vendit, raporton Gazeta10.
Raporti: Arza Kastrati
Kamera: KP\EO
Të enjten dhe të premten, do të mbahen dy seanca plenare të Kuvendit të Kosovës.
Pas mbledhjes së kryesisë së legjislativit të vendit, është thënë që në seancën e parë do të shqyrtohet buxheti për vitin e ardhshëm, derisa në të dytën do të diskutohet për gjendjen në veri dhe do të ketë debat parlamentar për shëndetësinë.
Për këtë sektor, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria e ka humbur fokusin.
Ndërkaq, kritika për buxhetin e vitit 2023, ka adresuar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Kurse, lidhur me kërkesat që plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se një gjë e tillë nuk është ende në fazën e njoftimit.
Ndryshe, shefat e deputetëve të partive opozitare kanë kritikuar vizitat e shpeshta të kryeministrit Kurti jashtë vendit, derisa Kosova po përballet me situatën në veri.
Gjithashtu, ata kritika kanë adresuar edhe për deklarimet e kreut të ekzekutivit se Kosova ka pasur rritje ekonomike, duke thënë se një gjë e tillë nuk ekziston./Gazeta10.