
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e Ministres Albulena Haxhiu, pas humbjes së mostrave të rastit “Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gruda tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur të këtij rasti dhe se ministrat nuk janë nuk janë drejtues të Ministrive për të raportuar skandalet, por për të punuar në mënyrë të ligjshme.
“PDK ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratën e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin “Dehari”, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e Ministres Albulena Haxhiu, e cila e drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe Instituti. Kur zhduken mostrat, dëmtohen provat, dëmtohet drejtësia dhe pamundësohet zbardhja e rastit. PDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si përgjegjësja kryesore dhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë, pranë të cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore”, tha ai.
PDK thotë se po dyshon që Haxhiu, duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, po manipulon me prova dhe situatën.
“Rasti Dehari”, është një rast vërtetë tragjik, zbardhja e të cilit, deri në detajin më të vogël, është obligim shtetëror për të cilin ne kemi kërkuar që të punohet në vazhdimësi. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur për qëllim asnjëherë që të zbardhë të vërtetën e këtij rasti, por ta përdorë atë për betejat e saj politike. Fatkeqësisht, përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjithë mekanizmat shtetëror në duart e tyre për ta zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Pas më shumë se dy viteve qeverisje dhe zero avancimi në rastin “Dehari”, ne dyshojmë që Ministrja Haxhiu duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, por edhe në pamundësi të sigurimit të fakteve të pamohueshme për të dëshmuar një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon me prova dhe situatën”, theksoi Gruda.
Gruda tha se Qeveria Kurti e ka kapur edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore duke e lënë me ushtrues detyre, prandaj “mostrat e humbura të rastit Dehari janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe e pamohueshme e Ministres së Drejtësisë”.
Sipas PDK-së, zbardhja e rastit të Astrit Deharit nuk ka qenë asnjëherë prioritet dhe angazhim i ministres Haxhiu, por vetëm manipulim dhe përdorim politik nga ana e saj./Gazeta10