
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Neurokirurgjisë janë realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një metodë moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit.
Sipas njoftimit të QKUK-së, më 6 dhe 7 korrik Klinika e Neurokirurgjisë ka mirëpritur neurokirurgun nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, në bashkëpunim me ekipin e klinikës, ka udhëhequr realizimin e këtyre procedurave të avancuara.
Gjatë vizitës janë kryer me sukses dy ndërhyrje kirurgjikale: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën e neuroendoskopisë.
QKUK bën të ditur se në të dyja operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, pajisje moderne që disponohet nga Klinika e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion të lartë, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë.
Sipas njoftimit, të dy pacientët e operuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit mjekësor.
QKUK thekson se, përveç suksesit klinik, vizita pati edhe rëndësi profesionale dhe edukative, pasi mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë në trajnim praktik për zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.
Sipas QKUK-së, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e shërbimeve që u ofrohen pacientëve.