Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përkrahen zgjedhjet e reja në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq

Gazeta10
03 June 2023 - 19:50

Raporti: Viola Korça
Propozimi i bashkësisë ndërkombëtare që katër komunat veriore të shkojnë sërish në zgjedhje, po konsiderohet si mundësia më e mirë për de-eskalimin e situatës në atë pjesë. Mirëpo, kjo duhet të ndodhë me kushtin që edhe Lista Serbe të marrë pjesë.

Mundësia për zgjedhje të reja në katër komunat veriore në Kosovë, po konsiderohet si mundësia më e mirë për de-eskalimin e situatës në atë pjesë.

Spektri politik në pushtet e opozitë, thonë se një gjë e tillë duhet të ndodhë, vetëm me kushtin që edhe Lista Serbe garanton pjesëmarrjen e saj në këtë proces zgjedhor.

Nga partia në pushtet theksojnë se qeveria dhe presidenca janë duke bërë të pamundurën për qetësimin e situatës në tri komunat veriore, të cilat tash e një javë po përballen me protesta, madje edhe të dhunshme në kundërshtim të kryetarëve të rinj.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli thotë se zgjedhjet e reja në veri mund të konsiderohet si opsion, por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në anën tjetër partitë opozitare thonë se Qeveria e Kosovës se po prapakthen funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri, derisa theksojnë nevojën emergjente për gjetjen e një zgjidhjeje në veri.

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike, Seb Bytyçi kërkon nga Qeveria e Kosovës të koordinohet me aleatët ndërkombëtar të Kosovës, për çfarëdo zgjidhjeje të shtensionimit të situatës në veri.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore, ka folur edh presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sipas të cilës, serbët mund të bëjnë një kërkesë për zgjedhje përmes një peticioni dhe institucionet janë të gatshme ta respektojnë një kërkesë të tillë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.