Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përkujtohet nisja e luftës në Ukrainë, Osmani: Ne i kemi dhënë Ukrainës gjithçka që kemi mundur t’i japim

Gazeta10
24 February 2025 - 19:44

Nën organizimin e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, në Kosovë është përkujtuar nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë nga Ukraina tre vjet më parë. Po ashtu, në Prishtinë është mbajtur edhe një protestë për të kundërshtuar këtë luftë.

Të pranishëm në ngjarjen e organizuar nga kori diplomatik ishin edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani tha se që nga dita e parë kur nisi lufta Kosova e ka mbështetur Ukrainën, pasi e di se rreziqet janë të mëdha.

Ajo tha se këto tre vjet kanë qenë me dhimbje të mëdha, humbje të mëdha, por edhe rezistencë të fuqishme nga populli ukrainas.

“Ne i kemi dhënë Ukrainës gjithçka që kemi mundur t’i japim, qoftë armë apo mbështetje të palëkundur, duke e ditur se fitorja e Ukrainës është fitorja jonë dhe humbja e Ukrainës është humbja jonë”, tha Osmani.

Kosova është rreshtuar me Perëndimin, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe duke strehuar gazetarë ukrainas në vend.

Osmani tha se Kosova dëshiron që Ukraina të dalë nga kjo luftë më e fortë e më e lirë, duke shtuar se populli ukrainas meriton të jetojë në paqe.

“Ditët e ardhshme do të formësojnë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por ndoshta edhe të ardhmen e të gjithë ne që besojmë në një botë ku paqja triumfon ndaj luftës, ku liria triumfon ndaj frikës dhe ku jeta triumfon ndaj vdekjes dhe ku njerëzit që duan lirinë triumfojnë ndaj mekjeve gjenodicale dhe hegjemoniste”, tha Osmani.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se lufta për lirinë e Ukrainës, është luftë për sigurinë e Evropës.

“Kjo luftë ka rëndësi të madhe për sigurinë e Evropës. E ardhmja e sigurisë së kontinentit tonë, dhe e rregullit ndërkombëtar është në rrezik sepse Rusia mund të mos ndalet aty nëse Ukraina do të dorëzohet. Prandaj duhet të vazhdohet mbështetja për Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht”, tha ai.

Ai tha se ditëve të fundit janë intensifikuar diskutime tpër paqe në Ukrainë, por paralajmëroi se nuk mund të keët bisedime për Ukrainën, pa Ukrainën, dhe nuk mund të ketë bisedime për sigurinë evropiane, pa evropianët.

“Një armëpushim pa garanci të sigurisë [për Ukrainën ]do të ishte e rrezikshme. Ne duam një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, jo një armëpushim të brishtë”, tha ambasadori Guerot, teksa bëri thirrje për rritjen e kapaciteteve dhe shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.