
Një përleshje ka ndodhur sot gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, duke shkaktuar tensione mes përfaqësuesve të partive politike.
Lidhur me këtë ngjarje, për Gazetën, në një lidhje direkte ka folur Shkëlqim Ibrahimi, shef i asamblistëve të PDK-së në këtë komunë.
Ibrahimi ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi, duke thënë se kjo, sipas tij, është fryma dhe gjuha e instaluar nga ekzekutivi komunal.
“Po ndihem keq në emër të Kuvendit Komunal të Mitrovicës. Më vjen keq, por fatkeqësisht kjo është fryma dhe gjuha e instaluar nga ekzekutivi komunal”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se ka pasur reagime të papërshtatshme nga drejtori dhe zyrtari i përfshirë në rast, ndërsa ka falënderuar asamblistët e pozitës dhe opozitës që, sipas tij, tentuan ta qetësonin situatën.
Ibrahimi ka kritikuar edhe reagimin e kryetarit të komunës, duke pretenduar se nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për ta amortizuar situatën. Ai ka shtuar se drejtori ka tentuar të përfshihet në konflikt, por është ndaluar nga kryesuesi i Kuvendit.
Duke folur për arsyet që çuan në tensionimin e situatës, Ibrahimi ka thënë se gjithçka nisi pas një replike mes një asamblisti të Vetëvendosjes dhe një asamblisti të PDK-së, lidhur me subvencionimin e klubeve sportive gjatë vitit 2025.
Sipas tij, gjatë debatit është përmendur çështja e subvencionimit të klubeve sportive dhe kontratave kolektive, ndërsa ai ka reaguar duke kërkuar që të shqyrtohet se çfarë ka ndodhur dhe cila është përmbajtja e dokumenteve.
Ibrahimi pretendon se gjatë përplasjes verbale janë përdorur edhe fyerje ndaj asamblistëve të PDK-së.
“Unë prej fillimit kam bërë thirrje që çdo gjë që paraqet shkelje apo krim, jemi të gatshëm bashkërisht të shkojmë në Prokurori dhe ta adresojmë çështjen në rrugë ligjore, e jo të merremi me propagandë. Asnjë veprim nuk e kanë bërë deri më tani”, ka deklaruar ai.
Në fund, Ibrahimi ka thënë se pamjet e tilla nuk janë të mira për asnjë kuvend komunal, duke shprehur keqardhje për atë që ndodhi gjatë seancës.