Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

Përparim Gruda: Rroga e 13-të solli vetëm 1% rritje reale, inflacioni e ka ngrënë efektin

Gazeta10
19 May 2026 - 21:17

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda në Politiko ka kritikuar qeverinë për mënyrën e shpërndarjes së pagës së 13-të, duke thënë se ajo është përdorur për efekt elektoral dhe se ndikimi real në mirëqenien e qytetarëve ka qenë minimal.

Sipas Grudës, paga e 13-të zakonisht ndahet në fund të vitit, por kësaj here është shpërndarë në pranverë për shkak të zgjedhjeve.

“Po i marr disa aspekte ku rroga e 13-të që e ka nda qeveria, si standard ndahet në fund të vitit. Këta e ndajnë në pranverë se i duhet për zgjedhjet”, deklaroi ai.

Ai tha se kur paga e 13-të shpërndahet proporcionalisht në 12 pagat mujore, rritja reale e të hyrave për qytetarët është rreth 8%.

“Kur është shpërnda në 12 rrogat që i merr gjatë muajve një person, i bie që iu ka rritë rroga 8%, jo më shumë”, u shpreh Gruda.

Megjithatë, ai theksoi se inflacioni ka neutralizuar pothuajse tërësisht këtë efekt, duke përmendur se vetëm në muajin prill inflacioni ka qenë 7%.

“Kjo do të thotë se efekti real është që rroga iu ka rritë vetëm 1%”, ahtoi tutje Gruda.

Gruda kritikoi gjithashtu mungesën e investimeve kapitale, si dhe mungesën e rritjes së pagave dhe pensioneve, duke thënë se kjo situatë duhet të ndryshojë.

Ai tha se Bedri Hamza është personi më i duhur për të udhëhequr vendin, duke e cilësuar si figurë kompetente dhe të papërfolur për korrupsion.

“Ne besojmë që njeriu i duhur në skenën politike që mund ta bëjë këtë për shkak të kompetencës së dëshmuar tashmë, është Bedri Hamza. Ai, përveç kompetencës, është njeriu i vetëm në skenën politike të Kosovës që nuk akuzohet për korrupsion as nga kundërshtarët e tij politikë e as nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Gruda.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/qCd6nVu0A88

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.