
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, bisedoi me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës lidhur me mënyrën se si t’iu mundësohet atyre që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të caktuara për 17 dhjetor.
Takimi u mbajt në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë, tha e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe më 22 nëntor.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e serbëve nga Kosova gjatë takimit thanë se “është e rëndësishme që qytetarëve serbë t’iu mundësohet e drejta e tyre e votimit”.
Gjatë takimit mes Petkoviqit dhe përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës është diskutuar edhe për ndihmën financiare, vendet e punës dhe investimet e reja të Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, buxheti që Serbia ka ndarë për Kosovën është rritur vit pas vitit, dhe ekspertët kanë paralajmëruar se këto investime nuk janë transparente dhe është pothuajse e pamundur që të përcaktohet shuma e përgjithshme e shpenzuar në këtë drejtim, përderisa Serbia gjatë këtyre viteve nuk ka ndaluar financimin e institucioneve paralele në Kosovë.