Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Plan atentati edhe ndaj Lulzim Bashës, të dyshuar dy kosovarë dhe një shqiptar nga Gostivari

Gazeta10
20 September 2022 - 17:04

Dokumente të tjera të hackuara nga serverët e institucioneve shqiptare vazhdojnë të dalin në publik.

Pas lajmit të bujshëm lidhur me tentim-planin për vrasjen e kryeministrit Kurti, deputetit të PDK-së, Haliti dhe veteranit të UÇK-së, Haxha – një tjetër dokument hedh dritë për një ngjarje të rëndë. 

Sipas dokumentit të siguruaur nga Gazeta10, Drejtoria e Antiterritorit e Shqipërisë më 14 prill të vitit 2017 kishte autorizuar Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për të proceduar këtë dosje për “Atentat” dhe “Vrasje në rrethana tjera cilësuese” ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha.

“Drejtoria e Antiterrorit me shkresë Nr. 315/1 Prot, date 14.04.2017, ka referuar  në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda materialin procedural që bën fjalë për veprën penale të:  “Atentati” dhe “ Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuara nga nenet 219 e 79, të Kodit Penal”, thuhet në dokument.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta10 tutje thuhet se fillimi i hetimeve u nis pas një deklarate të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani dhënë në një intervistë në një televizion, ku pati deklaruar se ishte në dijeni lidhur me paralajmërimet për atenat ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Pas këtij informacioni, Drejtoria Antiterrorit këtë deklaratë e kishte marrë në konsideratë ku edhe ishte nisur hetimi lidhur me të.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta10, thuhet se është vërejtur se në dalje publike të liderit të opozitës së Shqëpërisë, Lulzim Basha kishte shtim të forcave të sigurisë sepse persona të dyshimitë, të identifikuar e kanë për qëllim atentatin ndaj Bashës.

“Në kuadër të kësaj situate të krijuar, me shkresë të ardhur nga shërbimet e inteligjente jemi informuar mbi disa persona të dyshimtë dhe për të cilët janë grumbulluar informacione në lidhje me këtë çështje ku ka rezultuar si vijon. Nga proceset e ndjekjes janë ngritur dyshime  të arsyeshme se individët e njohur si A.M. i njohur si vrasës me pagesë, kanë dijeni apo lidhen  me dyshimet për planifikimin e një atentati në vendin tonë ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, me qëllim de stabilizimin e vendit”, thuhet më tej në dokumentin e siguruar.

Po ashtu pas verifikimeve të kryera nga Antiterrori, janë siguruar të dhënat me identitetin e personave që mund të kryejnë atenat.

Personi i parë i përmendur është nga Gostivari, ku sipas dosjeve, i njëjti ishte i përfshirë për trafik droge si dhe njihet si person i gatshëm të bëj çfarëdo lloj pune për para.

Person i dytë është A.M nga Prishtina, praktikues radikal i fesë islame, dhe ish-luftëtar xhihadist në Siri. I njëjti është arrestuar bashkë me shtetasë tjerë nga Kosova, ishin gjetur me uniformë dhe të armatosur.

Personi i tretë i përmendur në dosje, është F.G i dyshuar për përfshirje në krime të organizuara.

Tutje, në dokumentin e siguruar nga Gazeta10, jepen detaje për lëvizjen e të dyshuarve, hyrje-daljet në Shqipëri.

Tutje, thuhet se nga të dhënat e administruara nga policia gjyqësore rezulton se shtetasit e përmendur më lartë, lidhen me dyshime për planifikimin e atentatit ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, me qëllim të destabilizimit të vendit.

Po ashtu, për këta persona të përmendur thuhet se paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Tre të dyshuarit, ishin përgjuar dhe hetuar përgjatë 2 viteve, por në fund autoritetet shqiptare kishin ardhur në përfundim se nuk ka bazë të mjaftueshme për t’i ndjekur penalisht.

“Në të gjitha këto të dhëna nuk është konstatuar ndonjë e dhënë konkrete që të ketë të bëj me hetimin dhe me dyshimet e ngritura për këtë shtetas. Në të gjitha komunikimet e tij vërehet se ai komunikon për probleme personale si dhe me disa shtetas të cilët i kanë premtuat emigrimin e tij në Angli” thuhet në dokument.

Në fund, një oficer i policisë gjyësore kishte sugjeruar pushimin e hetimit të procedimit penal për veprat penale të “Atentatit”, dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese“, të parashikuara nga nenet 219 e 79, të Kodit Penal. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.