
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Policë, prokurorë, gjykatës e deputetë nga komuniteti serb i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës. Nga Kuvendi kanë thënë se deputetët e Listës Serbe do të zëvendësohen, pasi që me këtë veprim të tyre nuk ka krizë institucionale. Pavarësisht këtyre veprimeve, situata në veri gjatë së hënës ka qenë e qetë, shkruan Kanal10.
Zyrtarët serbë në komunat veriore kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.
Pasi që dy ditë më parë i kishin zhveshur uniformat, zyrtarët policorë nga komuniteti serb të hënën i kanë dorëzuar edhe armët dhe pajisjet tjera.
Ndërkohë, dhjetë deputetë të Listës Serbe, gjithashtu të hënën i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka konfirmuar se për këtë janë njoftuar nga administrata dhe se të njëjtit do të zëvendësohen, ashtu siç e parasheh ligji.
Kreu i legjislativit ka thënë se vendi nuk është në krizë kushtetuese, por do të përcillen hapat ligjor, derisa dirigjent të këtyre dorëheqjeve e ka vlerësuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Të hënën, edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje.
Kurse, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se askush nga komuniteti serb nuk ka dal në punë.
Ndërkohë, pavarësisht këtyre veprimeve, situata në veri të Kosovës është vlerësuar e qetë, sikur që njëjtë ka qenë edhe në pikën kufitare në Jarinje.
Qytetarët e komunitetit serb kanë vazhduar të vendosin ngjitës në automjete për kalim në territorin e Kosovës.
Derisa, dy vetura të EULEX-it me pjesëtarët e tyre janë parë duke vizituar kohë pas kohë këtë pikë kufitare, ndërkaq një kilometër më larg janë vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës. /Gazeta10