
Policia e Kosovës është deklaruar në lidhje me zjarrin që përfshiu dy objekte në rrugën “Epiri” në Prishtinë.
Sipas policisë, rreth orës 05:15 është pranuar informata se në rrugën “Epiri” në Prishtinë, një lokal është përfshirë nga zjarri.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit.
Sipas policisë si shkak i zjarrit dëmtime kanë dy lokale.
“Deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Zjarri ka prekur edhe një objekt në afërsi të objektit që po digjej, ndërkaq për shkaqe sigurie janë larguar disa automjete përreth vendit të ngjarjes”, tha për lajmi.net zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës- Agron Borovci.
Ai po ashtu njoftoi se policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen.