
Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për të identifikuar personin, i cili në gusht kishte vjedhur armë në një dyqan armësh në kryeqytet. Për të njëjtin, televizioni kishte raportuar dhe siguruar pamjet, i cili shihej teksa fillimisht sulmon shitësin dhe pastaj grabitë armën, raporton Gazeta10.
Raporti: Saranda Aliu
Kamera: Kanal10
Fytyrën ia kanë zbuluar, por jo edhe identitetin e tij.
Prandaj, Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta kapur personin, që dyshohet se pati vjedhur armë në një dyqan armësh në kryeqytet.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.”
Pavarësisht se ngjarja kishte ndodhur në gusht, personi që nuk ende nuk i dihet emri e vendndodhja, ende nuk ka rënë në pranga të policisë.
Për grabitjen në rrugën “Fadil Vata” kishte raportuar televizioni Kanal10, ku edhe kishte transmetuar pamje nga momenti i vjedhjes.
Në video shihet se i dyshuari për t’ia lehtësuar vetës punën, shitësit i kishte hedhur sprej në sy, e kishte marr armën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Kohëve të fundit janë raportuar dhjetëra raste të grabitjeve në shtëpi e dyqane.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për periudhën janar-shtator 2022, janë raportuar 69 raste të grabitjeve, derisa 17 të tjera kanë mbetur në tentativë./Gazeta10.