Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Policia: Protesta në Prishtinë u zhvillua e qetë, apel për respektimin e rregullave të trafikut

Gazeta10
19 September 2026 - 10:47

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka menaxhuar situatën e sigurisë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Policisë, protesta ka nisur rreth orës 21:00 dhe situata ka qenë kryesisht e qetë, ndërsa nuk është raportuar për incidente në aspektin e sigurisë. Njësitë policore kanë monitoruar zhvillimet dhe kanë menaxhuar edhe rrjedhën e trafikut.

Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë. Megjithatë, një pjesë e tyre janë zhvendosur drejt bazës së EULEX-it, ku kanë vazhduar protestën për rreth 30 minuta.

Pas kësaj, protestuesit janë kthyer drejt Prishtinës dhe kanë vazhduar të qarkullojnë me automjete në disa rrugë të kryeqytetit. Policia thotë se gjatë këtyre lëvizjeve janë krijuar kolona dhe janë evidentuar raste të vozitjes së rrezikshme, duke paraqitur rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe për vetë drejtuesit e automjeteve.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë në trafik, përfshirë ndërprerje dhe ridrejtim të përkohshëm të qarkullimit, me qëllim shmangien e bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme. Sipas njoftimit, këto veprime kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur në mënyrë demokratike pakënaqësitë e tyre, në pajtim me ligjet në fuqi.

Në të njëjtën kohë, institucioni ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj personave që shkelin ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor.

Në fund, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar dhe ka apeluar për kujdes të shtuar, respektim të ligjeve dhe, në veçanti, të rregullave të trafikut rrugor.

Policia gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin dëmtimin e pronës publike dhe private, duke theksuar se respektimi i ligjit dhe rregullave të qarkullimit është në interes të sigurisë së përgjithshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
19 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.