
Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci, ka komentuar rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke thënë se vendi nuk ka pësuar ndonjë rënie të papritur, por ka mbetur i ngujuar në një nivel të ulët.
Duke folur në linjë direkte për emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Popovci tha se rezultatet janë shumë shqetësuese, por sipas tij, nuk përbëjnë befasi.
“Kosova nuk ka pësuar një rënie të papritur në PISA, por ka mbetur e ngujuar në një nivel të ulët. Është fakt që ky rezultat është shumë shqetësues, por nga ana tjetër nuk është befasi”, tha Popovci.
Ai theksoi se problemi i arsimit në Kosovë është shumë më kompleks sesa vetëm renditja në testin PISA.
“Do të ishte shumë e thjeshtë të themi se problemi është vetëm te renditja në PISA. Problemi është më kompleks, sepse pas nëntë vitesh shkollim, shumica dërrmuese e nxënësve 15-vjeçarë te ne nuk e arrijnë nivelin minimal të kompetencës funksionale”, u shpreh eksperti i arsimit.
Sipas Popovcit, kjo tregon për një problem më të thellë në sistemin arsimor, i cili kërkon trajtim përtej rezultateve dhe renditjes në testet ndërkombëtare.