Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Pozitë e opozitë në komision kërkojnë ndryshim të Ligjit për Prona

Gazeta10
27 January 2023 - 17:35

Ministri i Financave, Hekuran Murati i propozoi Komisionit për Buxhet që t’i falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues të pronës. Ky propozim i Ministrisë së Financave, Murati tha se bëhet për shkak të gjendjes së rëndë financiare të qytetarëve dhe inflacionit të lartë.

Murati këtë propozim e bëri gjatë raportimit në komisionin parlamentar lidhur me rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Ndërsa, deputetët e opozitës, por edhe të pozitës, i kanë kërkuar ministrit të Financave, Murati, që të sjellë në Kuvend për ndryshim Ligjin për tatimin në pronë, në mënyrë që qytetarët të mos paguajnë çmimin e lartë për pronat në këtë kohë krize.

“Ky është propozimi që ka Ministria e Financave dhe duhet parë nëse vërtet e keni sinqerisht që po kërkoni të lehtësohet barra e qytetarëve. Pra, nëse dikush faturën e ka 30 euro, t’i falet e tëra, nëse dikush e ka 100 euro po ashtu t’i falen ato. Po ashtu nëse dikush ka faturë 200 euro, 100 eurot e para i falen dhe i paguan vetëm 100 euro të mbetura. Ky është propozimi dhe metoda se çka mund të bëjmë për sivjet. Ndërsa, vlerësimi nuk mund të pezullohet”, tha Murati.

Ministri Murati tha se arsyet pse qytetarëve u kanë ardhur faturat e tatimit me çmime ta larta janë për dy arsye.

Ai tha se ky ligj është hartuar nga Qeveria Mustafa dhe është miratuar nga Qeveria e PAN-it më 2018.

“Ministria nuk mund të informojë të gjithë, ju takon komunave individualisht që sipas raportit që e kanë marrë në tetor t’i informojnë qytetarët e tyre. Sa i përket përmirësimit të ligjit u tha pse se ke pezulluar. Ne jemi në proces të hartimit të ligjit të ri. Unë nuk mund ta shkeli ligjin. Ky ligj është hartuar nga Qeveria Mustafa, kur ministër ka qenë zotëri Hoti. Pajtohem se pronat duhet ta kenë vlerën e tregut. E pragu është miratuar në kohën e Qeverisë së PAN-it, kur kryeministër ka qenë zotëri Haradinaj. Pra kushtet janë vendosur nga ju”, theksoi Murati.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka shprehur si shqetësim që qytetarët janë informuar me vonesë për rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Ish-ministri i Financave, Hoti tha se është dashur të ketë fushatë vetëdijësuese muaj më parë, ndërsa kërkoi menaxhim të situatës.

“Nuk jemi sot këtu për të adresuar fajin. Ajo çka më shqetëson mua është mënyra se si jeni duke menaxhuar këtë proces. Fakti që njerëzit u informuan para tre ditësh dhe gjithashtu në projeksionet buxhetore nuk është fare e reflektuar hyrja e të rriturave të komunave. Ministër, ti nuk e ke pas idenë qe në janar qytetarëve do t’ju dyfishohen faturat… Ajo çka më shqetëson mua, ministri nuk është duke kryer punën. Ministri nuk është person teknik aty. Nuk e pranoj argumentin se ti nuk ke faj, ti e ke zbatuar ligjin… Është dashur tre muaj më herët të ketë fushatë vetëdijesuese. Ata e kanë kuptuar me 23 janar që do t’ju rritet fatura. Nuk të ka akuzuar askush që je duke zbatuar gabim ligjin, jemi duke drejtuar gishtin kah ju, për menaxhimin e situatës”, theksoi Hoti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka kërkuar nga ministri Murati që mos të fshihet pas ish-kryeministrit Isa Mustafa, por të ofrojë zgjidhe.

“Po thirresh në ligjet e kaluara. Pse po fshihesh tash pas ligjit dhe pas Isa Mustafës, ti je qe dy vjet në pushtet. Brenda dite keni miratuar Ligjin për inspektorat dhe ligje të tjera. Për tatimet që po goditen qytetarët, po arsyetohesh se e ka bërë qeveria e kaluar, jo ti e ke bërë. Ju keni nxjerr vendim në tetor, raport të vlerësimit të pronave. Po fshihesh pas një raporti qe ta ka deleguar një qeveri e kaluar. Cila është nisma ligjore që në atë raport ta hedhim poshtë”, tha Shala.

Kundër propozimi të ministrit Murati që të falen nga 100 euro për secilin tatimpagues është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

Për këtë shqetësim të qytetarëve, ai tha zgjidhje duhet të bëjë Ministria e Financave dhe komunat

“Kemi kohë të mjaftueshme para se ta akuzojmë njëri-tjetrin. Zgjidhja duhet të vjen prej dy palëve, prej Ministrisë së Financave, por edhe prej pushtetit lokal… Më e rëndësishme se sa rishikimi i vlerësimit të pronave do të ishte pezullim deri në një datë të caktuar. Të krijojmë një komision parlamentar që do të gjente një zgjidhje për të gjithë. Mendoj që ky propozimi që komunat t’i falin nga 100 euro nuk është korrekt nga ana jonë… Prandaj, ndoshta është mirë edhe të formohet një komision të përbashkët që të rishikojmë ligjin dhe t’i përmirësojmë gabimet të cilat janë bërë”, theksoi Rrahmani.

Ndërsa, AAK-ja, ka kërkuar të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e tatimit në pronë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.