
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula ka theksuar se populli i Kosovës e kupton mirë rëndësinë e lirisë, duke iu referuar historisë dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe pavarësi.
“Populli i Republikës së Kosovës e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, ka deklaruar ajo.
Presidentja ka vlerësuar se aspiratat për liri që frymëzuan Revolucionin Hungarez të vitit 1956 mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe përbëjnë një kujtesë të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Ajo ka përmendur edhe lidhjet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, duke veçuar marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Janosh Huniadin dhe Matias Korvinin.
Sipas Shiroka Pulës, kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi edhe për marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, të cilat, siç tha ajo, janë zhvilluar përmes bashkëpunimit diplomatik, në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë.
Presidentja ka rikujtuar se Hungaria e ka njohur pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008 dhe se aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it.