
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me Ministren Fitore Pacolli e Andin Hoti kanë prezantuar Projektin e Banimit Social Adekuat, i cili synon të krijojë kushte më të mira banimi për familjet në nevojë.
Kurti e ka cilësuar projektin si një investim të rëndësishëm në sigurinë sociale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së familjeve që kanë nevojë për banim të përshtatshëm.
Ai bëri të ditut se projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas institucioneve, Qeveria e Kosovës e ka zhvilluar këtë projekt përmes një kredie me Bankën për Zhvillim, në vlerë prej 25 milionë eurosh.
Projekti është rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të Republikës, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qeveria ka siguruar financim përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës në vlerë prej 25 milionë eurove. Krahas tyre kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës, pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro e ky është gjithsesi një investim i madh” tha ai.
Projekti synon të adresojë nevojat për banim social dhe të përmirësojë kushtet e jetesës për familjet përfituese në komuna të ndryshme të Kosovës.