
Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur deri në nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit në Prishtinë kanë vërshuar libraritë për t’i siguruar tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Në libraritë e kryeqytetit janë parë radhë të qytetarëve që po blejnë tekstet shkollore, ndërsa vonesa në ekzekutimin e mjeteve dhe publikimin e çmimeve finale ka bërë që një pjesë e prindërve blerjet t’i kryejnë vetëm në ditët e fundit.
Këtë vit, ndryshe nga vitet kur procesi përfshinte edhe materiale të tjera shkollore, Ministria e Arsimit ka përcaktuar subvencionimin sipas klasave për tekstet shkollore, me shuma nga 60 deri në 100 euro.
Për disa prindër, shuma e subvencionimit ka qenë e mjaftueshme për blerjen e librave, por jo edhe për fletoret dhe materialet e tjera mësimore.
Lulzim Fazliu, prind, ka thënë se shuma e marrë i ka mjaftuar për librat, ndërsa fletoret dhe materialet e tjera duhet t’i blejë me mjete vetanake.
Por, jo të gjithë prindërit kanë vlerësuar se shuma e ndarë mjafton për të mbuluar shpenzimet edhe vetëm të librave
Prindi Ahmet Hoxha ka deklaruar se, sipas kalkulimeve të tij, subvencionimi nuk i mbulon të gjitha shpenzimet për fillimin e vitit shkollor.
Hoxha tha se mjetet e subvencionimit ende nuk i kanë dalë.
Ndërkohë, një tjetër prind, Mirlinda Bytyqi, ka treguar se mjetet i kanë dalë një ditë më parë dhe se i kanë mjaftuar për blerjen e teksteve për fëmijët e saj. /kp