
Gazeta prestigjioze Reuters i ka kushtuar një artikull kryeqytetit tonë me titull “Në Kosovë, grafiti rinovon xhunglën e betonit të Prishtinës”.
Në artikullin që i kushtohet grafiteve që janë realizuar në Rrugën B Reuters e përshkruan Prishtinën si kryeqyteti i betonit, raporton Gazeta10.
Sipas saj Prishtina po përpiqet të ringjallë imazhin e saj të shurdhër dhe gri me mbishkrime të gjalla në mure dhe ndërtesa, duke ndihmuar në transformimin e hapësirave publike në zona më tërheqëse dhe më të gjalla.
Gazeta ka njoftuar se më shumë se 100 artistë nga 28 vende kanë mbuluar 2000 metër katror mure në Rrugën B (Rruga B) në qytet me art në një festival gjatë tre ditëve të fundit.
“Kur sheh betonin të jep përshtypjen se është ende në ndërtim e sipër”, tha Agon Xhelili, organizator i festivalit, Meeting of Styles Kosova. “Kur artistët shohin këto vende ata thonë: ‘dreqin, ky është vendi më i mirë për të pikturuar”, vazhdon tutje shkrimi i Reuters.
Për Reuters Daniel Sharon, një artist nga Londra që merrte pjesë në ngjarje me vëllain e tij, po pikturonte motive nga filmi horror bardh e zi i viteve 1950, Krijesa nga Laguna e Zezë është shprehur i mendimit se do të jetë vërtet pozitive (vizualisht dhe për turizmin) nëse lejojnë më shumë murale të artit publik.
“Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, vendi ballkanik pa një bum në ndërtim, megjithëse qeveria ka thënë se më shumë se 70% e të gjitha apartamenteve dhe shtëpive janë ndërtuar pa miratim zyrtar. Qeveria ka premtuar legalizimin e shumicës së tyre”, thuhet në fund të artikullit. /Gazeta10/