
Profesori i UP-së, Durim Abdullahu në profilin e tij në Facebook ka publikuar një listë me top-20 librat për krimet e luftës në Kosovë.
I pari është raporti ndërkombëtar i Human Rights Ëatch “Nën pushtetin e urdhërave: Krimet e luftës në Kosovë”, raport ky i hartuar nga dhjetëra hulumtues ndërkombëtarë dhe vendorë, au klasifikon llojet e krimeve të luftës në Kosovë dhe i strukturon ato në baza të zonave komunale, transmeton Gazeta10.
Më poshtë mund të lexoni listën e plotë të librave tjerë të propozuar nga Abdullahu.
Postimi i plotë:
Top 20 libra për krimet e luftës në Kosovë!
1. “Nën pushtetin e urdhërave: Krimet e luftës në Kosovë” – Human Rights Watch. Raporti ndërkombëtar më i referuar për krimet e luftës në Kosovë. I vëllimshëm me mbi 600 faqe, ky raport i hartuar nga dhjetëra hulumtues ndërkombëtarë dhe vendorë, klasifikon llojet e krimeve të luftës në Kosovë dhe i strukturon ato në baza të zonave komunale.
2. “Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999” – KMDLNJ: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Raporti më i rëndësishëm për krimet e luftës në Kosovë, i hartuar nga një organizatë vendore, në bazë të raporteve të përditshme të hartuara nga KMDLNJ-ja gjatë viteve të luftës. Në mbi 1000 faqe, janë evidentuar mijëra të dhëna statistikore të krimeve të luftës, të ndara sipas regjioneve komunale.
3. “Libër-Kujtimi i Kosovës 1998 – 2000” – I hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ky libër konsiderohet si botimi më kredibil deri sot për personat e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ai evidenton plot 13535 emra njerëzish të vrarë gjatë dhe në muajt e pare të pas luftës në Kosovë, duke përfshirë viktimat civile dhe të armatosura të të gjitha përkatësive etnike, pra shqiptarë, serbë, romë dhe të tjerë. Ky libër është rezultat i një projekti të gjerë të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe në Serbi, për të dëshmuar dhe kujtuar të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.
4. “Tregoji botës: Drejtësia ndërkombëtare dhe fushatat sekrete për t’i fshehur vrasjet në masë në Kosovë” – Eliott Behar. Autori i këtij libri,ishte është prokurori kanadez në rastin e Sllobodan Millosheviqit, i cili është dorëhequr gjatë procesit gjyqësor, duke mos besuar në drejtësinë ndërkombëtare. Duke shfrytëzuar dëshmitë e dëshmitarëve dhe të mbledhura nga Gjykata e Hagës (ICTY), Eliott Behar rrëfen në mbi 370 faqe, disa nga masakrat më makabre të forcave serbe mbi shqiptarët, si dhe rrugët e ndjekura për fshehjen e krimeve të luftës në Kosovë nga Serbia. Shumë i rekomanduar!
5. “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998 – 1999” (vol. 1 & 2) – Jusuf Osmani. Në këtë botim dyvëllimësh me gjithsej 1100 faqe, autori i tyre Jusuf Osmani ka hulumtuar krimet e luftës të llojeve të ndryshme nga vrasjet dhe masakrat, burgosjet dhe torturat, dëbimin dhe deportimin e popullsisë, eliminimet e intelektualëve, krimet e dhunimeve seksuale, shkatërrimet e ndërtesave, plaçkitjet dhe dëme të tjera të luftës të shkaktuara nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë. Pjesa e dytë e këtij studimi që shtrihet në të dyja vëllimet e tij, strukturon krimet e luftës sipas komunave.
6. “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998 – 1999” – Jusuf Osmani. Një përmbledhje evidentimesh të ndryshme për fëmijët e vrarë, të zhdukur apo të vdekur nga kushtet e luftës. Në mbi 280 faqe, Osmani ka përmbledhur te ky libër historitë e mbi 1000 fëmijëve viktima të luftës në Kosovë, duke ndjekur ndarjen e vendeve të krimit sipas komunave.
7. “Fëmijët martirë të Kosovë 1981 – 1999” – Hanëmshahe Ilazi & Nusret Pllana. Ky libër trajton një kategori të veçantë të viktimave të luftës: fëmijët e vrarë, të zhdukur apo të mbytur si pasojë e rrethanave dhe kushteve të luftës. Megjithëse ai shtrihet mbrapa në kohë duke nisur që nga viti 1981, në thelb ky libër evidenton mbi 1000 fëmijë të vrarë apo të vdekur nga lufta në Kosovë.
8. “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999” – Nusret Pllana. Një koleksion i madh me fotografi dhe të dhëna statistikore për dhunën, torturat, burgosjet politike, vrasjet masive, masakrat, dhunimet dhe krimet ndaj shqiptarëve të Kosovë, të ushtruara nga pushtetet politike të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, në një hark kohor 150-vjeçar. Një libër shumë i shpërndarë dhe i njohur.
9. “Masakra e Suharekës mars 1999: Dosja K.V.2/2006” – Fahri Musliu. Një libër unik i përgatitur nga gazetari Fahri Musliu, për masakrën e 49 anëtarëve të familjeve Berisha dhe Elshani, më 26 mars 1999 në Suharekë. Libri ka një pjesë hyrëse që sqaron kontekstin dhe rrethanat e kësaj masakre, para se të pasohet nga dokumentet e dosjes gjyqësore të Kolegjit për krime lufte në Gjykatën e Qarkut në Beograd, ku për 31 muaj janë gjykuar tetë persona të akuzuar për këtë masakër. Libri ka 966 faqe dhe mbase është dosja më e plotë e botuar për një masakër nga shumë të tilla të kryera nga Serbia në Kosovë.
10. “Shpirti i dënuar: Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë (1997 – 1999)” – Naxhije Doçi. I botuar vetëm dy vite pas përfundimit të luftës, ky libër përmbledhë krimet e kryera nga forcat serbe ndaj viktimave gra në Kosovë, në 28 raste apo vende të ndryshme, si në Prishtinë, Gjakovë, Orllan, Mitrovicë, Celinë, Poklek, Shaptej, Klinë, Istog, Beleg, Krushë të Madhe etj.
11. “Krimet e luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë periudhës shkurt 1998 – qershor 1999” – Azem Hajdari. Duke ndjekur profilin e tij prej profesori në Fakultetin Juridik, autori ka trajtuar në rrafshin juridik dhe të së drejtës ndërkombëtare krimet e luftës në Kosovë gjatë periudhës përkatëse, në mbi 350 faqet e kësaj monografie. Një studim që duke ndjekur një metodologji të qartë shkencore, synon të shqyrtojë krimet e luftës së Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës në rrafshin, përmes referencash juridike dhe praktikash juridike ndërkombëtare të trajtimit të krimeve të luftës.
12. “Krimet serbe në Kosovë: Pa apologji, me fakte kundër shpifjeve” – Fitnete Ramosaj. Ky botim dygjuhësh, në shqipe dhe anglishte, është një libër i ndarë në dy pjesë: e para pjesë trajton metodat e luftimeve të serbëve, masakrën e Lybeniqit, rastet e kriminelëve të luftës Vidomir Shalipur dhe Millutin Prahçeviq, etj. Kurse pjesa e dytë merret me krimet e kryera nga Serbia e të mveshura shqiptarëve; me vrasësit e Fehmi Aganit; si dhe fshehjen e krimeve të luftës, shkatërrimin dhe zhdukjen e dëshmive. Libri përmbyllet me një shtojcë të gjatë me dokumente zyrtare të forcave serbe si dhe me dhjetëra fotografi që paraqesin dëshmi për krimet e luftës.
13. “Fshehja e krimit: Politika serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë” – Anton Vukpalaj. Ky libër paraqet një studim serioz të politologut dhe studiuesit të drejtësisë tranzicionale, Anton Vukpalaj për politikat e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të luftës në Kosovë. Ai trajton operacionet e veçanta për fshehjen e krimve të luftës, duke marrë për bazë një game të gjerë të raporteve ndërkombëtare si dhe të dokumentacionit të prodhuar gjatë procese gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë të Serbisë të akuzuar për krime luft edhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi.
14. “Puset e vdekjes në Kosovë” – Josef Martines. Një libër nga ushtaraku norvegjez Josef Martinsen i cili udhëhoqi projektin e UNHCR-së dhe Kishës Norvegjeze të realizuar nga korriku i vitit 1999 deri në shkurt 2000, për nxjerrjen e trupave të kufomave nga puset në Kosovë, ku ishin hedhur nga forcat serbe pasi i kishin vrarë apo edhe si metodë e vrasjes. Në këtë libër, Martinsen rrëfen nxjerrjen e trupave nga puset në mbi 25 fshatra nëpër Kosovë si dhe gjithë rrjedhën e projektit të drejtuar prej tij.
15. “Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt ’98 – qershor ’99)”. I botuar në vitin 2000 nga Bashkësia Islame e Kosovës, ky libër është një evidencë sistematike me të dhëna dhe me shumë fotografi për mbi 240 xhami të plaçkitura, të djegura dhe të shkatërruara në nivele dhe përmasa të ndryshme, na forcat e Serbisë në Kosovë. I shkruar në tre gjuhë, shqipe, anglishte dhe arabishte, të dhënat e këtij libri janë strukturuar në kapituj sipas komunave.
16. “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”. Ky libër i përgatitur nga Integra dhe forum ZFD më 2017, sjellë 8 intervista me 8 viktima të mbijetuara të torturës dhe të dy familjarëve të tyre, gjatë luftës në Kosovë. Libri është i qasshëm online dhe është botuar në tre gjuhë: shqipe, anglisht edhe serbishte.
17. “Unë jam anemone” – Salie Gajtani Osmankaq. Është një libër që ka për subjekt një kategori të veçantë të krimeve të luftës: troturat dhe dhunën seksuale. Në këtë botim, gazetarja Salie Gajtani Osmanakaq rrëfen historitë e 24 viktimave gra dhe të të një burri të dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
18. “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK gjatë periudhës 1998 – 1999” – Salih Krasniqi. Një nga kapitujt më të errët të krimeve të luftës në Kosovë, është ai i vrasjeve dhe zhdukjeve të shumë të sapolindurve, foshnjave, të plagosurve dhe pacientëve shqiptarë nga spitalet në Prishtinë, prej personelit mjekësor serb dhe autoriteteve serbe të kohës. Në mbi 1000 faqet e këtij libri, kirurgu laparaskopik Salih Krasniqi, ka sistemuar mijëra dokumente të klinikave mjekësore të Qendrës Klinike Univesitare të Kosovës, që dëshmojnë këto krime.
19. “Fshati i vrarë: dëshmi dhe fakte për masakrën serbe në Krushë të Vogël” – Agron Limani & Qemajl Krasniqi. Ky është një nga ata librat që merret ekskluzivisht me krimet e luftës të një rasti specific, përkatësisht të masakrës së Krushës së Vogël, ku më 25 mars 1999, serbët kanë vrarë mbi 240 viktima shqiptare. Ky libër sqaron rrethanat dhe mikrokontekstin e masakrës së Krushës së Vogël, nëpërmjet mbi 50 intervistave të bëra me të mbijetuar, familjarë dhe dëshmitarë të asaj masakre.
20. “Masakra e Reçakut: krim kundër njerëzimit” – Ky botim është përgatitur nga Instituti për Hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ai ka për subjekt masakrën mbase më të njohur ndërkombëtarisht të kryer nga Serbia në Kosovë, atë të 15 janarit 1999, kur u vranë 45 fshatarë shqiptarë. Libri është ndërtuar kryesisht përmes rrëfimeve të të mbijetuarve të kësaj masakre dhe të dëshmitarëve të tjerë të këtij krimi.
* Lista e mësipërme është përpiluar duke gërmuar mes atyre librave që janë botuar në gjuhën shqipe dhe që kanë për temë vetëm krimet e luftës në Kosovë dhe jo të gjithë historinë e kësaj lufte. Qëllimi i kësaj liste është që të shërbejë si orientim ndaj literturës për krimet e luftës në Kosovë, për ata që duajnë të lexojn mbi këtë temë. Përzgjedhja e librave është bërë sipas kriterit të nivelit të përgjithshëm, mbi baza të vlerësimeve personale dhe subjektive. Përtej kësaj liste, ka edhe jo pak libra të tjerë shumë me vlerë dhe të rëndësishëm si për krimet e luftës ashtu dhe për historinë e luftës së Kosovës në tërësi.