
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka kaluar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe pesë projektligjet që përbëjnë Pakon e Reformës në Drejtësi.
Anëtaret e këtij komisioni, miratuan Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe pakon prej pesë projektligjeve të cilat përfshijnë Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
“Kalimi në parim i këtyre projektligjeve përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit, me synim ndërtimin e një sistemi drejtësie profesional, të pavarur, efikas dhe llogaridhënës, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.