Lajme

Proklamimet për rrtitje ekonomike, opozita i quan të pavërteta e propagandë

Gazeta10
10 Tetor 2022 - 19:58

Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10

Opozita i ka quajtur të pavërteta e propagandë, deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për rritje ekonomike. Partitë opozitare kanë thënë se shifrat e përmendura nga Kurti nuk qëndrojnë, por po mundohet përmes manipulimit të opinionit që t’i mbuloj dështimet në qeverisje. Edhe njohësit e ekonomisë nuk shohin progres në ekonomi as gjatë kësaj qeverisjeje, shkruan Kanal10.

“Progres ekonomik i Kosovës”, këto janë fjalët që kryeministri i shkroi një ditë më parë, e që nxitën reagime të shumta të opozitës e njohësve të ekonomisë.

Në postimin, ku thuhej se ka rritje të  eksportit, qarkullim të bizneseve, si dhe mijëra vendet të reja të punës, i vlerëson si krejt të paqëndrueshme deputeti nga partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala.

Shala, konsideron se mungesa e rezultateve nga kjo qeveri, e ka shtyrë shefin e ekzekutivit të reagojë në këtë formë.

Nuk mungoi reagimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

I pari i kësaj partie, i ka quajtur kokëforta faktet, derisa ka thënë se çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike, duke thënë se vetëm importet e mallrave nga Serbia kanë shënuar rritje.

“Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak. Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!”

Njohësit e ekonomisë, thonë se shifrat e paraqitura nga Kurti nuk paraqesin rritje ekonomike por vetëm formë e manipulimit të opinionit.

Madje, ata këshilluan kryeministrin t’i ndërrojë këshilltarët e tij ekonomikë pasi mund t’ia kenë servuar shifrat josaktë.

Kryeministri Albin Kurti, në postimin e tij në facebook, kishte shkruar se janë shtuar mbi 15 mijë vende të reja të punës këtë vitë, për 47 përqind është rritur eksporti me qeverisjen e tij e poashtu rritje të investimeve të huaja.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.