
Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën ka pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric”, kompanisë të cilës, Gjykata Komerciale ditë më parë ia ndaloi marrjen e 30 eurove për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
“Lidhur me këtë çështje, të hënën Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për zhvillimet e radhës lidhur me këtë rast do të njoftoheni në kohë”, ka thënë Ulaj për Gazetën10.
Përmes një vendimi Gjykata Komerciale e Kosovës, ditë më parë ia ndaloi “VisaMetric” që t’ua marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.
E njëjta kompani vazhdoi ta bënte këtë gjë edhe pas këtij vendimi gjyqësor./Gazeta10