
Ka nisur protesta në shenjë revolte kundër dhunës dhe vrasjes së grave edhe në ditën e dytë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, nga kunati i saj.
Gazetarja e Kanal10, Antigona Selimi, në një lidhje direkte, ka marrë një prononcim nga një qytetar, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij me institucionet e shtetit dhe ka kërkuar përgjegjësi për rastin.
“Jemi shumë të zhgënjyer me shtetin. Akti më i madh moral është dorëheqja, jo me e ruajt karrigen. Kjo është tmerr i tmerrit. Edhe gjashtë muaj me ia shty vetes për të mos ardhur dorëheqja, e vetëm me e suspendu policin… Veç një po ta them: me përgjegjësi morale, po të isha në vendin e tyre, me gjithë kënaqësinë do të jepja dorëheqje”, ka deklaruar ai.
Qytetari ka thënë se e gjithë shoqëria është në pikëllim, duke treguar edhe për takimin me familjarët e viktimës.
“Sot jemi të gjithë në pikëllim. Mbrëmë më erdhi keq për familjen e nderuar, që as nuk mundeshin të përmbaheshin. Ju përshëndes juve gazetarëve, të vetmit që po e mbani tempon. Hallall ju qoftë!”, ka thënë ai.