Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vrasja e Arlinda Zekajt, suspendohen 11 zyrtarë të policisë së Kosovës në Pejë

Gazeta10
29 October 2026 - 15:51

Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të viktimës Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të Policisë, suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve është duke u zhvilluar një hetim paraprak për veprimet apo mosveprimet e tyre në këtë rast.

Në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.

Po ashtu, janë suspenduar shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale në trajtimin e rastit.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimeve në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.