
Aprilia ka prezantuar versionin special dhe të limituar të motorit RS 660, të quajtur Phillip Island Tribute, në nder të pistës australiane që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e garave botërore të motoçiklizmit.
Ky model është krijuar për të festuar sukseset e Aprilia Racing në pistën e Phillip Island, ku prodhuesi italian ka regjistruar dhjetë fitore në kategori të ndryshme të Kampionatit Botëror MotoGP, përveç triumfeve në Kampionatin Botëror të Superbikeve me modelin legjendar RSV4.
Një prej momenteve më të rëndësishme ishte fitorja e pilotit Raul Fernandez në vitin 2025, me motorin RS-GP, e cila i mundësoi Aprilias të arrinte shifrën historike prej 300 fitoresh në Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit.
Me këtë arritje, marka italiane u bë prodhuesi evropian më i suksesshëm në historinë e këtij kompeticioni.

Aprilia RS 660 Phillip Island Tribute dallohet për dizajnin ekskluziv, grafikën e veçantë dhe pajisjet shtesë.
Motori vjen me ngjyrën e bardhë si bazë, të kombinuar me të gjelbrën në pjesët anësore dhe në pjesën e pasme, si dhe të kuqen në fellnet, duke rikrijuar ngjyrat e logos së pistës australiane.
Në panelet anësore është vendosur logoja e qarkut, e formuar nga konfigurimi i pistës, së bashku me mbishkrimin “Phillip Island Circuit” dhe flamurin me kuadrate që simbolizon përfundimin e garës.
Rezervuari përmban një emblemë me numrin e fitoreve të Aprilias në këtë pistë, ndërsa numri serik i modelit është vendosur në pllakën e qafës së timonit. Mbulesa e ulëses së pasagjerit përfshihet në pajisjet standarde.
Ky edicion i limituar ruan bazën teknike të RS 660, një motor që ndërthur peshën e ulët, performancën e lartë dhe teknologjinë moderne. Ai është projektuar për të ofruar një përvojë sportive në pistë, por edhe për të qenë praktik dhe i këndshëm për përdorim të përditshëm.
Sistemi elektronik aPRC i gjeneratës së fundit përfshin kontrollin e tërheqjes, kontrollin e ngritjes së rrotës së përparme, menaxhimin e frenimit të motorit, ABS-in në kthesa dhe hartat e ndryshme të motorit, të gjitha të menaxhuara përmes sistemit elektronik të gazit Ride-by-Wire. Këto funksione mund të përshtaten sipas nevojave të drejtuesit, si në pistë, ashtu edhe në rrugë.
Pajisjet elektronike plotësohen nga kontrolli i nisjes, transmisioni elektronik me ndërrim të marsheve në të dy drejtimet dhe sistemi i kontrollit të shpejtësisë.
Në pajisjet standarde përfshihet edhe platforma inerciale me gjashtë akse, e cila ndihmon sistemet elektronike të funksionojnë me saktësi më të madhe.
Në aspektin mekanik, RS 660 Phillip Island Tribute fuqizohet nga motori me dy cilindra, me vëllim 660 cc dhe katër valvula për cilindër, i cili zhvillon 105 kuajfuqi në 10.400 rrotullime në minutë dhe 70 Nm çift rrotullues në 8.400 rrotullime në minutë. Për drejtuesit që posedojnë patentë shoferi për kategorinë përkatëse me kufizim të fuqisë, ofrohet edhe versioni i kufizuar në 35 kW.
Motori shërben gjithashtu si element mbajtës i strukturës, duke kontribuar në krijimin e një shasie kompakte, të lehtë dhe të qëndrueshme.
Korniza përbëhet nga dy trarë anësorë të fiksuar me bulona në pjesën e kokës së timonit dhe në pjesën e pasme, në vazhdën e traditës së Aprilias për zhvillimin e shasive me karakteristika sportive.
Modeli special do të ekspozohet në panairin EICMA në Milano, nga 5 deri më 8 nëntor, në hapësirën e Aprilias në sallën 9.
Në Kosovë, Auto Mita është përfaqësues zyrtar i markës Aprilia, duke ua mundësuar motoçiklistëve qasje në modelet e prodhuesit italian, i njohur për teknologjinë e avancuar, performancën dhe traditën e pasur në garat e motoçiklizmit.