
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik në para objektit të Qeverisë, sot pikërisht në ditën kur kryeministri i vendit, Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, raporton Gazeta10.
PSD-ja e ka vendosur një material që përmban karikaturën në ndertesën e Qeverisë, ku shihet Kurti dhe Vuçiqi me doreza boksi duke ‘’diskutuar’’ për planin evropian, por duke e theksuar mbishkrimin “Tensionet për Asociacionin”.
Me këtë rast, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se tensionet në veri kanë pasur një synim, formimin e Asociacionit. Sipas tij, Kurti e Viçiqi janë dukur sikur janë në konflikt, por që në Bruksel nënshkruajnë marrëveshje.
“Ajo që shihet ne ilustrim është e vërteta që ka ndodhur në dialogun Kosovë-Serbi që ka kaluar nga dialogu për marrëveshje finale në pranimin e Asociacionit. Të gjitha tensionet në veri, kanë qenë tensione për krijimin e Asociacionit. Dialog më të mbyllur, më jo demokratik më jo transparent, nuk ka pasur kurrë në Kosovë. Qytetarët dhe deputetët, nuk e dinë se çfarë po diskutohet e as çfarë po nënshkruhet. Kurti dhe Vuçiqi gjatë gjithë kohës janë dukur se janë në konflikt, por në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshje. Pra, neve na u është jep imazhi i konfliktit, e Vuçiqit koncesioni”, tha Molliqaj, teksa tha se shefi i ekzekutivit, me nënshkrimin e Asociacionit, ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve.
Molliqaj ka thënë se nuk është se ata duan ta kundërshtojnë këtë marrëveshje por ajo nuk ka njohje në qendër.
“Nuk është se ne duam ta kundërshtojmë këtë marrëveshje, por ajo nuk ka njohje në qendër, as njohjen e 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, vetëm Asociacionin. Kurti e ka shkelur vullnetin e 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin kundër Asociacionit dhe të gjithë aktivistëve që kanë protestuar kundër. Diçka që s’është bërë për 7 vite, kryeministri Kurti po e bën”, tha Molliqaj.
PSD-ja vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë Kurti për ndryshimin e qëndrimeve lidhur me krijimin e Asociacionit.
Sot në Bruksel Kurti do të takohet me zyrtarin e lartë të BE-së, Joseph Borrell dhe pas tij edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçi, ku do të diskutohet plani franko-gjerman./Gazeta10
