
Paris Saint-Germaini i ka quajtur plotësisht të pavërteta lajmet se Kylian Mbappe ka kontratë marramendëse në vlerë prej 630 milionë eurove dhe kanë paralajmëruar veprime ligjore ndaj mediave.
Në një njoftim për mediat nga Tariq Panja, kampioni francez tha: “PSG-ja konfirmoi se ky lajm është plotësisht i gabuar me asnjë hollësi të vetme korrekte. Koha e këtij publikimi të rremë nga ky medium është befasues, po ashtu, vetëm pak ditë para një ndeshjeje të rëndësishme në Ligën e Kampionëve”.
Le Parisien raportoi se Mbappe i fiton 72 milionë euro në vit, si dhe bonuse, njëra prej të cilave është 180 milionë euro për nënshkrimin e kontratës së re. Kjo shifër do ta kalonte shumën që e kishte fituar bashkëlojtari i tij Lionel Messi në Barcelonë mes viteve 2017 dhe 2021 dhe do ta bënte atë lojtarin më të paguar në historinë e futbollit.
Kylian Mbappe është bërë temë e nxehtë debati për mediat e huaja të cilat ditë më pare aludonin se Francezi dëshiron largimin nga PSG-ja verën që vjen përkundër asaj që lojtari ka nënshkruar kontratë të re.
Përkundër spekulimeve Mbappe po tregon formë të lartë këtë sezon me “parizienët” ku në 11 paraqitje ka realizuar 10 gola dhe 2 asistime në ligue 1.