
Raporti:Arbenita Ilazi
Punëtorët e sektorit privat po vazhdojnë të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës mbështetje financiare, pasi thonë se janë duke u përballur me sfida të shumta. Kryetari i Sindikatës së Pavarur trë Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se gjendja e bizneseve private është shumë e rëndë, andaj edhe ka kritikuar ministrin Murati, derisa ka theksuar se po u bënë presion bizneseve që t’ua rrisin pagat punëtorëve. Ai ka kritikuar ekzekutivin se përkundër insistimeve të vazhdueshme, nuk po pranon të dialogojë me punëtorët.
Kjo deklaratë e ministrit të Financave, Hekuran Murati nxiti reagime të shumëta nga punëtorët e sektorit privat në Kosovë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka kritikuar ekzekutivin se nuk po u del në ndihmë punëtorëve të këtij sektori.
Ai ka thënë se gjendja e bizneseve private është shumë e rëndë, andaj edhe qeveria nuk duhet t’u bëjë presion atyre për rritjen e pagave të punëtorëve.
Azemi është shprehur se përkundër insistimit të tyre për të dialoguar, nga ekzekutivi nuk i kanë pranuar në takim.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka thënë se sektori privat është duke u përballur me sfida të shumta.
Andaj ai edhe ka kërkuar nga Qeveria që t’iu ndahen mjetet shtesë direkt punëtorëve pa kushtëzime.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ditë më parë ka kërkuar nga bizneset që t’ua rrisin pagat punëtorëve, pasi që ka thënë se bashkë me rritjen e çmimeve, ato kanë rritur edhe fitimet. / Kanal10