Duhet Lexuar

Putin: Rusia po lufton për tokat e saj historike

Gazeta10
22 Shkurt 2023 - 16:47

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia po lufton për tokat e saj “historike” në Ukrainë.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një tubimi patriotik të organizuar nga shteti në Moskë, në mbështetje të ofensivës në Ukrainë.

“Sapo dëgjova nga udhëheqja e lartë ushtarake e shtetit se beteja është duke vazhduar për tokat tona historike, për njerëzit tanë”, tha Putin.

Në një adresim të shkurtër para dhjetëra mijëra personave të mbledhur në stadiumin Luzhniki në Moskë, Putin po ashtu lavdëroi ushtarët rusë në Ukrainë, që sipas tij, “po luftojnë në mënyrë heroike dhe të guximshme: ne jemi krenarë me ju”.

Të pranishmit në këtë tubim valëvitën flamuj rus;, teksa kjo ngjarje u mbajt dy ditë para përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë ngjarje performuan edhe grupe të ndryshme muzikore, ndërsa në skenë u shfaqën edhe fëmijë nga rajoni ukrainas i Donbasit, përfshirë edhe nga qyteti-port i Mariupolit, që ishte cak i një rrethimi të gjatë para se forcat ruse ta merrnin nën kontroll.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se ka rrëmbyer mijëra fëmijë ukrainas nga territoret që Moska ka marrë nën kontroll. Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga Rusia, e cila insiston se ka organizuar birësime të ligjshme.

Kur urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës, Putin kishte pretenduar se trajtimi i rusishtfolësve në Ukrainë mund të krahasohej me veprimet e Gjermanisë Naziste. Ai ka fajësuar Perëndimin për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.

Perëndimi ka mbështetur financiarisht dhe ushtarakisht Kievin, që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt 2022.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.