
Raporti: Arta Mustafa/Kanal10
Procesi mësimor nuk ka filluar për të tretën javë radhazi për shkak të grevës në arsim. Avokati i Popullit Naim Qelaj ka thënë se do të vazhdojë të ndërmjetësoj dialogun mes qeverisë dhe grevistëve. Ai e ka quajtur shkelje të të drejtave të fëmijëve këtë situatë të krijuar. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje që të nis mësimi, kurse Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u ritheksoi se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, shkruan Kanal10.
Për të tretën javë me radhë shumica e shkollave të Kosovës vazhdojnë të jenë të zbrazëta.
Për grevën e cila nisi më 25 gusht Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se zhvilloi diskutime intensive me të dyja palët për gjetjen e një zgjidhje, por pa sukses.
Derisa e cilësoi si shkelje të të drejtave të fëmijëve e gjendje alarmante mosvijimin e procesit mësimor, Qelaj ka sqaruar kërkesën që ua ka paraqitur të dyja palëve.
Qelaj ka thënë se nuk do të heqë dorë nga roli i ndërmjetësuesit.
Ndërkaq, e para e dikasterit të arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë për Kanal10 se Qeveria është e gatshme për dialog social me SBASHK-un deri në gjetjen e një zgjidhje.
Kurse, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk pranojnë 50-eurot e Qeverisë dhe se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Për mos-nisjen e mësimit dhe vazhdimin e grevave, Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK-ja ka akuzuar qeverinë për mosgatishmëri për dialog me sindikatat.
Në mungesë të dialogut, sipas Lushakut, Qeveria e Kosovës po krijon situata alarmante te qytetarët. /Gazeta10