
Në mbledhjen e qeverisë është njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit për ndalimin e eksportit për produktet themelore agroushqimore, i miratuar më 13 prill të këtij viti në periudhën e krizës së furnizimit me këto produkte, raporton Gazeta10.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës, mielli, vaji, sheqeri dhe produktet e tjera themelore agroushqimore po importohen mjaftueshme në Kosovë.
“Qeveria e RKS me vendimin 01/69 të datës 13 prill ka bërë ndalimin e përkohshëm të eksportit. Ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të sasisë së mjaftueshme të produkteve ushqimore. Sa i përket eksportit të vajit dhe grurit ju njoftoj se ministria ka nënshkruar marrëveshje me produktet e vajit me prodhuesit vendor…Andaj, ministria me kujdes të veçantë për qytetarët dhe prodhuesit vendorë propozon që të shfuqizohet vendimi 01/69 për ndalimin e eksportit dhe rieksportin e produkteve themelore agroushqimore”, përfundoi ministrja Hajdari./Gazeta10.