Gazeta10

Qeveria i përjashton nga shpronësimi disa prona në veri

Në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – janë përjashtuar disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Nebojsha Vllajiq, njëri prej avokatëve që kanë përfaqësuar banorët e pakënaqur para gjyqësorit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës, të datës 30 maj, thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, është marrë në përputhje me aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar përjashtimin e disa parcelave nga shpronësimi.

“Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmojnë pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj, Qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi”, thotë Kryeziu.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar shumicën padive të qytetarëve serbë, të cilët kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe ka kërkuar të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”. Gjykata e ka kthyer në rishqyrtim tokën e familjes Jovanoviq nga Leposaviqi.

Pikërisht, toka prej 8 hektarësh e kësaj familjeje është njëra nga tokat e përjashtuara nga vendimi përfundimtar i Qeverisë për shpronësim.

Por, sipas avokatit Vllajiq, vendimi i Qeverisë është “një vërtetim i procesit të mëparshëm, që ka qenë tejet i paligjshëm”.

“Tani, ato vendime që janë quajtur paraprake, janë shpallur të formës së prerë, përveçse ato parcela [që janë kontestuar në gjykatë e] që përfaqësojnë një pjesë të vogël, janë përjashtuar”, thotë Vllajiq.

Mashan Jovanoviq, nga fshati Mekiniq i Leposaviqit, ka arritur t’i ruajë tetë hektarë të pyllit të tij.

Jovanoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se “drejtësia ka triumfuar” dhe se është i lumtur që nuk i është marrë pylli, i cili gjendet prapa shtëpisë së tij familjare.

Ai dhe vëllai i tij, Radomiri, thonë se nuk kanë qenë kurrë të interesuar për kompensim monetar, por se kanë dashur vetëm ta “mbrojnë” tokën e tyre.

Ata që nuk kanë fituar në gjykata, tash mund të ankohen vetëm për dëmshpërblimin që do të marrin.

“Ata nuk mund të dëshmojnë më se shpronësimi është i panevojshëm, ose se interesi publik nuk ekziston”, thotë Vllajiq.

Jovanoviq shton se i gjithë procesi i shpronësimit nga autoritetet e Kosovës, ka qenë jotransparent dhe se banorët vendas nuk kanë marrë asnjë informacion për procesin.

“Tani kemi mësuar nga mediat se është marrë një vendim përfundimtar”, thotë ai. /REL

NË FOKUS

image-78
Ndahet nga jeta gazetari dhe aktori kosovar
LAJMI-I-FUNDIT
Pamje shokuese teksa një burrë e rrah brutalisht një grua në Prizren
mirlind
Federata e Maqedonisë së Veriut reagon ndaj Mirlind Dakut: Kërko falje publike
cikloni
Cikloni në Itali, stuhitë afrohen në Ballkan dhe pastaj edhe në Kosovë
mjek-730x440-1-600x360-1
Vdes mjeku i njohur
komisiojii
​“Në villën e Radojiçiqit keni pi raki”/ “O zemlak, shefin ta kanë gjete në kipek me BIA-në” – Eskalon debati në Komision
5756utyty-1
E bëri shqiponjën para serbëve, UEFA e përjashton gazetarin kosovar
bes
Mes spekulimeve për ndarje, Bes Kallaku bën postimin që emocionoi të gjithë