Lajme

Qeveria revokon statusin e një investitori strategjik, kompania e painformuar

Gazeta10
19 Prill 2023 - 17:21

Përfaqësues të kompanisë, Moxico Luma Kosova Mining, i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar nga Qeveria e Kosovës lidhur me shfuqizimin e vendimit për dhënien e statusit të investitorit strategjik kësaj kompanie.

“Ne mbetemi me shpresë që komunikimi me Qeverinë do të vazhdojë me qëllim të zbatimit të investimit tonë në Kosovë”, thuhet në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga kjo kompani.

Më 18 prill, Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, njoftoi se ka shfuqizuar vendimin e datës 13 dhjetor 2022, me të cilin ishte konfirmuar vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për kompaninë, Moxico Luma Kosova Mining.

Në Qeverinë e Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ky veprim është mbështetur në Ligjin për investime strategjike, që sipas tyre, i mundëson ekzekutivit që të ndërmarrë masa të revokimit për dhënien e statusit të projektit strategjik. Kjo, sipas Qeverisë, mund të bëhet edhe përgjatë përgatitjeve apo edhe zbatimit të projektit investues.

Vendimi, sipas Qeverisë, është marrë duke iu referuar nenit 14 pika e parë e Ligjit për investime strategjike.

Në nenin 14 të këtij ligji thuhet:

“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”.

Ligji për investime strategjike ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.

Prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji, u jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.

Projekti i kompanisë Moxico Luma Kosova Mining përfshinte eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale.

Kapitali i investimit strategjik ishte mbi 45 milionë euro, ndërsa investimi do të realizohej në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Në këtë projekt ishte paraparë të punësoheshin 300 punëtorë.

Investimet e huaja në Kosovë sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në periudhën janar – tetor 2002 kapinë vlerën e mbi 600 milionë euro.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.