Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Rafael Nadal njofton pensionimin nga tenisi

Gazeta10
10 Tetor 2024 - 13:01

Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga tenisi dhe se Davis Cup nëntorin e ardhshëm do të jetë turneu i tij i fundit.

Edhe një legjende të tenisit po i vjen fundit. Bëhet fjalë për spanjollin Rafa Nadal, i cili ka konfirmuar zyrtarisht pensionimin e tij nga tenisi në fund të këtij viti.

Spanjolli me anë të një video në profilin e tij privat ka njoftuar mes emocionesh se Davis Cup në muajin nëntor do të jetë turneu i tij i fundit.

 

“Përshëndetje të gjithëve. Jam këtu për t’ju njoftuar se po tërhiqem nga tenisi profesionist”, ka thënë fillimisht Nadal në videon e postuar.

“Realiteti është se kanë qenë vite të vështira, veçanërisht këto dy të fundit. Nuk mendoj se kam qenë në gjendje të luaj pa kufizime. Ky është padyshim një vendim i vështirë që më ka marrë pak kohë për ta marrë, por në këtë jetë, çdo gjë ka një fillim dhe një fund”.

“Mendoj se është koha e duhur për t’i dhënë fund një karriere që ka qenë e gjatë dhe shumë më e suksesshme nga sa mund ta kisha imagjinuar ndonjëherë”.

“Por, jam shumë i emocionuar që turneu im i fundit do të jetë finalja e Davis Cup dhe do të përfaqësoj vendin tim”, përfundoi tenisti spanjoll.

Ndryshe, 38-vjeçari ka fituar 22 tituj Grand Slam gjatë karrierës së tij, duke qenë tenisti i dytë më i trofeshëm në histori.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.