
Pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit, Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë folur për vazhdimin e progresit në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kanë deklaruar se një iniciativë e tillë do të vazhdojë. Këto deklarime ata i kanë bërë gjatë mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Shkup, raporton Gazeta10.
Raporti: Kanal10
Kamera: KP
Pavarësisht dinamizmit të Procesit të Berlinit dhe nënshkrimit të tri marrëveshjeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se projekti i Ballkanit të Hapur do të vazhdojë.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup, Rama ka thënë se Ballkani i Hapur është një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit.
Madje, ai ka shtuar se është duke u punuar për përgatitjen e një samiti tjetër të kësaj iniciative në Shqipëri.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimtar Kovaçevski ka deklaruar se Ballkani i Hapur nuk duhet të frikësojë askënd, pasi sipas tij, nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit.
“Më vjen mirë që ajo që kemi firmosur në Berlin në kuadër të Procesi të Berlinit, tanimë kemi firmosur në iniciativën Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk duhet askënd të frikësojë është ideja origjinale, jo vetëm e politikanëve, por edhe të bizneseve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë…Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit nuk janë në kundërshtim mes veti, por janë procese kompatabile”
Ndryshe, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë nënshkruar 21 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
Ato prekin çështjen e integrimit në BE, krijimin e task-forcave të përbashkëta të sigurisë, implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar, si dhe të fushës së ekonomisë, energjisë, arsimit dhe digjitalizimit./Gazeta10.