
Pakënaqësitë dhe përplasjet verbale mes deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazit dhe liderit të kësaj partie, Albin Kurti, kanë qenë temë diskutimi mes analistëve në “Politiko”.
Analisti, Fidan Rama duke komentuar shpërfaqjen e pakënaqësive politike të deputetit Abazi kundrejt partisë së tij, ka thënë se “Haki Abazi dy ditë para se me shku në VV, u shku në LDK”, raporton Gazeta10.
“Këto elemente politike të pakënaqësive e kanë qu drejt shkarkimit. Z.Abazi nja dy ditë para se me shku në Vetëvendosje u kanë tu shku në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Të gjithë e dimë këtë punë edhe ai e din se e kemi diskutu bashkë. Para se me shku në VV u kanë tu shku në LDK. Këto lëvizjet politike janë të zakonshme, ajo çfarë duhet me qenë pa zakonshme duhet mos me përdor instrumente siç është rasti Dehari që t’i më shpërfaq një pakënaqësi politike me kryeministrin. Nëse dy vjet nuk pajtohesh dhe e gjen pas dy vjet një moment e thu këtu është krejt keq, kjo s’është e kapshme për këtë vend sepse që 20 vjet jemi gërdit nga këto lëvizje që kanë ndodh.”, ka thënë Rama.
Tutje, analisti Rama ka thënë se posti i deputetit është shumë i rëndësishëm dhe Abazi veprimtarinë e tij politike mundet ta zhvillojë qoftë brenda VV-së apo edhe si deputet i pavarur.
“Posti i deputetit është shumë i rëndësishëm. Abazi është njeri i zgjedhur, mundet me vazhdu karrierën e tij politike qoftë si deputet i pavarur qoftë me qëndru në VV dhe me dhënë kontributin e tij brenda VV-së. Por jo vetëm Abazi por të gjithë të tjerët duhet me i ndal këto idetë e reagimit në një kohë të caktuar kinse lideri s’po iu jep hapësirë me reagu.”, ka përfunduar Rama.
Gjatë ditës së sotme, Prokuroria ka marr dëshminë e deputetit Haki Abazi pas deklaratave të tij javën e kaluar se ekzistojnë video incizime që tregojnë se si janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
Ndërsa, kryeministri Kurti deklarata e Abazit i ka quajtur të pabaza dhe ta pasakta./Gazeta10