
Analisti politik dhe gazetari Fidan Rama, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do t’i kërkojë kryeministrit Albin Kurti bashkëqeverisje në këmbim të votimit për presidentin e vendit.
Sipas Ramës, PDK-ja do të kërkojë vetëm dy ministri në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje: Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Ai ka thënë se, sipas informacionit që posedon, PDK-ja nuk synon pozita të tjera në Qeveri, por dëshiron që përmes këtyre dy dikastereve të kontribuojë në avancimin e agjendës shtetërore, në veçanti në raport me zhvillimet në Hagë dhe procesin e mëtejmë gjyqësor në Apel.
Rama ka theksuar se PDK-ja, në rrethanat aktuale, do të ishte e gatshme të hynte në bashkëqeverisje, por ka shtuar se realizimi i një marrëveshjeje të tillë varet nga qëndrimi i kryeministrit Kurti.
Ai e ka paraqitur këtë si një përpjekje të mundshme të PDK-së për të ndikuar në zhvillimet shtetërore, duke pasur parasysh situatën e krijuar pas zhvillimeve në Hagë./Gazeta10