Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

​Rashiq pret që në takimin e 2 majit të ketë propozime për draft-statutin e Asociacionit

Gazeta10
24 April 2023 - 17:09

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq pret që në takimin e 2 majit të ketë propozime për draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai deklaroi sot se pala kosovare në tavolinën e bisedimeve në Bruksel do të paraqesë “propozime të pjekura dhe të harmonizuara”. Rashiq tha se zgjedhjet e djeshme në veri janë legale dhe se serbët po shfrytëzohen si mjet i betejës politike.

Ministri Rashiq u shpreh se është i kënaqur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Jam shumë i kënaqur që krejt pa kaluar pa incidente, pa kurrfarë konflikti ose më mirë me thënë që ka kaluar në ambient të qetë dhe jam i kënaqur. Edhe pse nuk konsideroj në këto rrethana që zgjedhjet kanë qenë një zgjidhje perfekte, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ligjet përcaktojnë sa kemi pasur afat për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. E di që vet presidentja në kohën e konsultimeve kemi konfirmuar që kemi kohë ta shtyjmë deri më kaq dhe kjo ka qenë e fundit. Unë e respektoj këtë element, sepse në fund të fundit të gjithë ne duhet të respektojmë ligjet”, tha ai.

Rashiq ndikim të vrazhdë e quajti presionin e Serbisë ndaj serbëve të veriut, me ç’rast shtoi se të njëjtit po përdoren si mjet i betejës politike.

“Për fat të keq, kemi parë edhe një herë që ndikimi, i cili zakonisht është i vrazhdë, i cili në këtë aspekt partia politike, e cila përfaqëson presidentin Vuçiq nuk heziton të bëjë gjithçka që është e mundur, gjithçka që duhet që të mbesin në pushtet. Dhe kjo është edhe një dëshmi e prolongimit ose më mirë të vazhdimit të udhëheqjes, e cila nuk ka për qëllim interesat të komunitetit serb, qoftë të jugut apo të veriut. Por, i ka interesat e veta, ku zakonisht serbët e Kosovës po përdoren si mjet, si një mjet i përkohshëm në vazhdim të ‘betejës politike’, e cila jam e sigurt që do të vazhdon edhe më 2 maj, nëse mbahet ai takim që është planifikuar në Bruksel”, nënvizoi Rashiq.

Ai komentoi edhe deklaratën e Milan Rajdoçiqit, i cili ka thënë se nuk do të lejojnë që komunat veriore të udhëhiqen nga shqiptarët.

“Kjo deklaratë është e rrezikshme dhe unë lus, nëse mund të dëgjojnë, që të përmbajnë deklaratat, të cilat në mënyrë direkte ose indirekte po potencojnë që mund të ketë një pengesë të marrjes së pushtetit. Prapë e di që ndoshta kjo është lojë e fjalëve. Në këtë rast mund të themi që nuk ka legjitimitet, por megjithatë ka legalitet ose më mirë të themi, edhe pesë njerëz të dalin në zgjedhje, llogaritet që 50 për qind e atyre pesëve dhe ai fiton zgjedhjet. Prandaj, legaliteti në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të ketë sfidë”, deklaroi Rashiq.

Në takimin e radhës në Bruksel, Rashiq tha se pret nga pala kosovare që të jetë inovative dhe konstruktive. Ai u pyet edhe nëse do të ketë propozim të draft-statutit për Asociacionin.

“E di që me 2 maj nga ana e Kosovës, ne do të përpiqemi që të bëjmë disa propozime të reja, propozime të cilat janë të pjekura dhe kisha thënë edhe të harmonizuara…Me siguri, unë nuk do të jem aty, me siguri do të bisedohet për propozime”, u përgjigj shkurt Rashiq.

Më tej, ministri për Komunitete dhe Kthim shtoi se këto probleme po shkaktohen si shkak i mospërfaqësimit të duhur të serbëve në procesin e dialogut.

“Krejt këto probleme që janë krijuar, janë krijuar për shkak të mungesës së përfaqësimit jo-adekuat të serbëve në procesin e Brukselit, sepse prej fillimit kam kërkuar përfaqësim të serbëve autentik brenda team-it negociues. Pavarësisht kërkesave të shumta që i kam bërë dhe prapë po rikujtoj, kërkesa ka qenë direkt për Mogherinit… megjithatë asnjë nuk ka pranuar prej palëve. Prandaj, dhjetë vjet pas nënshkrimit të parë të Brukselit, që pa serbët e Kosovës krijohen probleme për përfaqësim, legalitet, legjitimitet dhe në fund i kemi problemet që kemi pasur për barrikadat, bojkotimin e zgjedhjeve. Këto probleme nuk do i kishim pasur me një përfaqësim adekuat të serbëve në institucione dhe në veçanti në procesin negociator”, përfundoi Rashiq.

Dje, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, ku nga mbi 45 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë votuar vetëm mbi 1500 qytetarë. /kp/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.