Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Reagim i MASHTI në lidhje me shkrimin “Air” Nagavci shpenzon 117 mijë euro për bileta të aeroplanit- sqarim i redaksisë

Gazeta10
05 December 2023 - 20:01

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) reagon ndaj shkrimit të botuar me datë 05.12.2023 në portalin “Gazeta 10” me titull “Air” Nagavci shpenzon 117 mijë euro për bileta të aeroplanit.

Ky shkrim ka pasaktësi dhe të pavërteta duke filluar që nga titulli tendencioz, ku pretendohet se ministrja Nagavci ka shpenzuar 117 mijë euro për bileta të aeroplanit.

Shkrimi i referohet tenderit të hapur nga MAShTI “Shërbime të transportit ajror për stafin e MAShTI, kontratë e cila ende nuk ka nisur të zbatohet.

Kontrata është nënshkruar javën e kaluar dhe mundëson realizimin e nevojave për udhëtime zyrtare të të gjithë punëtorëve të MAShTI, universiteteve, instituteve dhe agjencive vartëse të MAShTI për dy vitet e ardhshme. Buxheti i kontratës nuk ka filluar ende të shpenzohet pasi ende nuk ka pasur kërkesa për blerje të biletave.

Andaj, tendenca e portalit në fjalë që përmes këtij shkrimi të dezinformojë publikun kinse ministrja ka shpenzuar 117 mijë euro për bileta të aeroplanit është e papranueshme. Në lidhje me këtë, MAShTI do t’i drejtohet edhe Komisionit të Pavarur të Mediave.

Me gjithë kërkesat e shumta për qasje në dokumente publike dhe vështirësitë që shkakton te stafi në punën e përditshme realizimi i kërkesave, MAShTI ka qenë gjithmonë i hapur për t’iu përgjigjur medieve dhe qytetarëve, përfshirë edhe shpenzimet e ministres Nagavci.

MAShTI siguron qytetarët se, çdo cent i shpenzuar i buxhetit të Kosovës, është përdorur dhe do të përdoret sipas planifikimit dhe për këtë do të jetë i njoftuar gjithmonë opinioni publik.

Sqarim i Redaksisë

Gazeta10 njofton opinionin publik se teksti është i bazuar në njoftimin për dhënien e kontratës nga KRPP dhe përbën saktësi të plotë se kontrata për shërbimet e transportit ajror për stafin e MAShTI-t kap vlerën e 117 mijë eurove.

Sa i përket reagimit të MASHTI-t ku thuhet se “ky shkrim ka pasaktësi dhe të pavërteta duke filluar që nga titulli tendencioz, ku pretendohet se ministrja Nagavci ka shpenzuar 117 mijë euro për bileta të aeroplanit”, sqarojmë se në titullin në fjalë nuk thuhet askund që ministrja Nagavci shpenzoi apo ka shpenzuar siç është cekur në reagim… por thuhet se …shpenzon 117 mijë euro për bileta të aeroplanit, pra që nuk është folur për kohën e shkuar.

Titulli korrespondon me artikullin në fjalë pasi që kontrata në mes të MASHTI-t dhe Operatorit Ekonomik tashmë është lidhur për blerje të biletave për transport ajror.

Kujtojmë se kjo ministri kishte ndarë 120 mijë euro për shërbimet e transportit ajror për stafin e MAShTI-t, mirëpo kompania fituese kishte ofertën për 3 mijë euro më të lirë, pra 117 mijë euro.

Më poshtë mund ta gjeni njoftimin e për dhënien e kontratës

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.